Rreth OPAL

Rreth OPAL

OPAL: Open Albanian Research Map


Qëllimi kryesor i platformës OPAL është të mundësojë rrjetëzimin e diasporës shkencore shqiptare dhe promovimin e potencialit të saj përmes një platforme të hapur, transparente dhe gjithëpërfshirëse.


Gjatë viteve të fundit janë krijuar lista dhe baza të ndryshme të dhënash me ekspertë dhe studiues të diasporës shqiptare. Megjithatë, këto burime informacioni zakonisht mbeten të mbyllura brenda organizatave, institucioneve publike, departamenteve universitare apo strukturave të tjera që i kanë hartuar dhe administruar ato. Mungesa e transparencës dhe mosvënia në dispozicion e këtyre të dhënave kufizojnë ndjeshëm potencialin që ofron një rrjetëzim i hapur, transparent dhe gjithëpërfshirës. Një qasje e tillë bie gjithashtu në kundërshtim me parimet themelore të shkencës bashkëkohore, të cilat promovojnë bashkëpunimin, shkëmbimin e njohurive dhe qasjen e hapur në komunitetin akademik.


Mbajtja e këtyre regjistrave në mjedise të mbyllura bën që edhe vetë studiuesit e përfshirë në to të mos kenë informacion për ekzistencën, ekspertizën apo interesat kërkimore të njëri-tjetrit. Si pasojë, mbeten të pashfrytëzuara mundësitë për krijimin e bashkëpunimeve të reja, zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore dhe ndërtimin e rrjeteve profesionale. Në raste të caktuara, këto lista trajtohen si burime ekskluzive të organizatave që i zotërojnë dhe përdoren kryesisht për identifikimin dhe ftesën e individëve në aktivitete specifike. Një praktikë e tillë kufizon vlerën e tyre strategjike dhe pengon shfrytëzimin e plotë të potencialit që ato ofrojnë për zhvillimin e bashkëpunimit shkencor dhe akademik.


Një nga karakteristikat themelore të shkencës është transparenca, bashkëpunimi dhe rrjetëzimi ndërmjet studiuesve. Në këtë kontekst, platforma OPAL synon të lehtësojë identifikimin dhe lidhjen e partnerëve të përshtatshëm për projekte kërkimore, të mbështesë transferimin e dijes dhe të shërbejë si një mekanizëm koordinues për bashkëpunimin shkencor dhe akademik ndërmjet diasporës shqiptare dhe institucioneve në hapësirën shqiptare.


Ideja fillestare për krijimin e një regjistri të studiuesve të diasporës shkencore shqiptare, i konceptuar fillimisht me rreth 100 anëtarë, lindi si rezultat i diskutimeve të zhvilluara gjatë "Takimeve të Mynihut". Gjatë këtyre takimeve u shqyrtuan modele dhe mekanizma për konsolidimin e diasporës shkencore shqiptare, si dhe për krijimin e mundësive të qëndrueshme për bashkëpunim ndërmjet studiuesve shqiptarë jashtë vendit dhe kolegëve të tyre në institucionet akademike dhe kërkimore në vendet e origjinës.


OPAL është një projekt që mbështetet nga Këshilli i Diasporës Shkencore Shqiptare, zhvillohet e koordinohet nga Shoqëria e Akademikëve Shqiptarë DIJA e.V. dhe realizohet në bashkëpunim me Institutin Mbarëkombëtar të Studiuesve Shqiptarë „Alb-Shkenca“. OPAL është një produkt i përbashkët i Shoqërisë DIJA dhe Institutit Alb-Shkenca.

Domethënia e emrit OPAL

Termi "opal" historikisht i referohet një guri të çmuar dhe ka një zanafillë rreth 3.500-vjeçare (rreth vitit 1.500 p.e.r.). Ai rrjedh nga fjala sanskrite "upala", të cilën romakët e përvetësuan si "opalus".
Dijetari Plini Plaku e përshkroi këtë emër si "bashkimin e bukurisë së shumë gurëve të çmuar në një të vetëm".

Në mënyrë të ngjashme, edhe platforma OPAL (Open Albanian Research Map) synon të përbëjë një vlerë të rëndësishme për shkencën kombëtare dhe arsimin e lartë. Ajo shërben si një platformë e hapur dhe transparente për të bërë bashkë kërkuesit shkencorë më të shquar të kombit tonë, pavarësisht vendndodhjes së tyre gjeografike apo institucionit ku punojnë.

Bëhuni pjesë e hartës shkencore kombëtare – Regjistrohuni që tani!
ℹ️
Ideator dhe udhëheqës i projektit OPAL:

Dr. Eshref Januzaj, Mynih, Gjermani
Kryetar i Shoqërisë DIJA
Zv.-Drejtor i përgjithshëm i Institutit Alb-Shkenca
Kontakti: Kliko këtu